Arabia Saudite ka vendosur të lejojë vetëm 10,000 haxhilerë për të kryer Haxhin këtë vit

Ministria e Haxhit dhe Umrah-s në Arabinë Saudite, hapën të hënën mundësinë e regjistrimit për ata që dëshirojnë të kryejnë haxhin këtë vit.  Nga gjithsej 10,000 pelegrinët, aq sa është e lejuar, 70 përqind do të jenë të huaj që banojnë në Mbretëri ndërsa 30 përqind e mbetur do të jenë Sauditë.

Arabia Saudite ka vendosur të lejojë vetëm 10,000 haxhilerë vendas të kryejnë Haxhin këtë vit, pas shpërthimit të pandemisë së koronavirusit. Kushtet e shëndosha shëndetësore do të jenë kriteri kryesor për lejimin e kryerjes së Haxhit. Midis sauditëve, vetëm mjekët shëndetësorë dhe personeli i sigurisë do të lejohen të kryejnë haxhin, shkruan SG, përcjell IKRE.

Në një deklaratë, ministria tha që regjistrimi në faqen e internetit (localhaj.haj.gov.sa) filloi të hënën dhe do të përfundojë të Premten (10 korrik) dhe se rezultatet e emërimit të Haxhit do të shpallen të dielën (korrik 12).

Përzgjedhja e kandidatëve të haxhit, do të jetë rreptësisht në përputhje me protokollet parandaluese të koronavirusit. Vetëm ata kandidatë midis moshës 20 dhe 50 vjeç, të cilët nuk vuajnë nga ndonjë sëmundje kronike, duhet të aplikojnë. Aplikantët duhet të deklarojnë se nuk kanë diabet, tension të gjakut, sëmundje të zemrës dhe sëmundje të frymëmarrjes dhe se nuk janë të infektuar me koronavirus ose nuk tregojnë simptoma të tij. Ata duhet të prodhojnë një certifikatë pasi i nënshtrohen provës mjekësore të reaksionit të zinxhirit polimerazë (PCR).

Aplikantët duhet të ofrojnë një dokument ku vërtetojnë se nuk e kanë kryer Haxhin më parë dhe se ata do të qëndrojnë në karantinë të detyrueshme shtëpiake për 14 ditë para Haxhit, si dhe 14 ditë pas Haxhit. Ata duhet të jenë në kontakt me Ministrinë e Shëndetësisë çdo ditë përmes aplikacioneve për celular në përputhje me protokollet e miratuara nga ministria.

Ministria tregoi se paraqitja e kërkesës përmes shtegut elektronik do të trajtohet si paraqitje fillestare dhe regjistrimi përfundimtar për Haxhin do të konsiderohet vetëm pas lëshimit të miratimit përfundimtar nga Ministria e Haxhit. Rezultati i aplikimit do t’u dërgohet aplikantëve përmes një mesazhi me tekst në numrat e telefonit celular të përmendur në aplikim.

IKRE

413 thoughts on “Arabia Saudite ka vendosur të lejojë vetëm 10,000 haxhilerë për të kryer Haxhin këtë vit

Comments are closed.