Ç’ndeshi udhëpërshkruesi i famshëm Ibn Battuta gjatë një ndalese në Damask?

Ibn Battuta konsiderohet të jetë udhëpërshkruesi më i famshëm musliman i shekullit XIV. Ai kaloi 28 vjet duke udhëtuar nëpër vendet e botës së njohur në atë kohë. Udhëtimet e tij dallojnë nga tjerat edhe për faktin se ai nuk ka lënë ngjarje të vogël apo të madhe, ose ndonjë detaj të jetës së njerëzve në vendet dhe qytetet që ai ka vizituar, pa e regjistruar atë dhe pa shkruar detajisht për të.

Një nga gjërat më mbresëlënëse që Ibn Battuta pa në udhëtimet e tij nëpër tokat dhe qytetet muslimane ishin vakëfet në Damask.

I impresionuar nga institucioni i vakafit në Damask, Ibn Battuta shkroi: “Vakëfet në Damask nuk mund të numërohen, për shkak të morisë dhe diversitetit të tyre. Ndër të tjera, në Damask ekzistojnë vakëfe të veçanta për njerëz të cilët, për shkak të varfërisë, nuk kanë mundësi të kryejnë haxhin, andaj nga vakëfi ndahen mjete të mjaftueshme, sa për t’ua mundësuar këtyre personave shkuarjen në këto vende të shenjta. Ekzistojnë edhe vakëfe për përgatitjen e vajzave të varfra për martesë, vakëfe për lirimin e të burgosurve, vakëfe për ushqim dhe rroba për udhëtarët. Këtu ka edhe vakëfe për riparim dhe shtrim rrugësh, sepse çdo rrugë në Damask ka trotuare nëpër të cilat ecin këmbësorët, kurse kalorësit kalërojnë përmes të rrugës, midis trotuareve”.

Ibn Battuta më pas rrëfeu një tregim interesant për një pamje që ai pa në Damask. Ai shkruan: “Kalova një ditë nëpër një rrugë të ngushtë në Damask, dhe pashë një djalë i cili ishte rob, kur nga dora e tij ra një kavanoz dhe u thye në pjesë. Njerëzit u mblodhën rreth tij, dhe pastaj një njeri nga turma u afrua dhe i tha: ‘mblidhi ato pjesë të thyera dhe eja me mua tek pronari i vakëfit për kavanoza. Burri shkoi me djaloshin rob, dhe pronari i vakëfit i dha atij paratë me të cilat ai bleu një kavanoz të ngjashëm me atë të thyerin. Kjo është një nga bamirësitë më të mira, sepse nuk ka dyshim se një rob do të ishte ndëshkuar nga zotëri i tij për shkak se ka thyer pjatën, për çka edhe zemra e tij do të ishte thyer. Ky vakëf në fakt, ishte një vend i vërtetë për rregullimin e zemrave njerëzore”.

/tesheshi.com/

377 thoughts on “Ç’ndeshi udhëpërshkruesi i famshëm Ibn Battuta gjatë një ndalese në Damask?

Comments are closed.