Cili sahabi kishte një pjesë të trupit në Xhennet, duke qenë ende gjallë!

“Betohem në Allahun se nuk do ta kërkoj këtë ushqim derisa mos ta përziesh me dorën tënde të prerë. Betohem në Allahun se nuk është asnjëri në mesin tonë që një pjesë e tij e ka në xhenet, përveç teje”- Omer ibn Hatab

Pas vdekjes së Pejgamberit a.s. dhe me kalimin e hilafetit në duart e Ebu Bekr Es-Sidikut, Tufejli me gjithë të birin ishte në shërbim të halifes së Pejgamberit a.s. Posa filluan luftërat kundër renegatëve të fesë islame, Tufejli u mobilizua së bashku me të birin e tij, Amrin, në krye të ushtrisë së muslimanëve në luftë kundër Musejleme el-Kedh-dhabit.

Gjatë rrugës së tij për në Jemame pa një ëndërr, të cilën ua tregoi shokëve të vet dhe u tha: Unë kam parë një ëndërr. Cili prej jush mund të ma shpjegojë domethënien e saj? Shokët e pyetën:
– Çfarë ke parë?
Tufejli u përgjigj: Pashë se i kisha qethur flokët, një zog doli prej gojës sime, një grua më futi në barkun e saj dhe se djali im Amri filloi të më kërkojë me të shpejtë, mirëpo diçka e pengoi që të më bashkangjitet.

– Shokët i thanë: Dhashtë Zoti e të jetë mirë.
Tufejli iu ktheu atyre: Pasha Allahun, sa më përket mua, unë e kam shpjeguar atë. Sa i përket qethjes së flokëve të mi, kjo do të thotë se mua do të më prehet koka. Ndërsa shpendi që doli prej gojës sime, ai është shpirti im. Kurse gruaja, e cila më futi në barkun e saj, simbolizon tokën në brendinë e së cilës do të varrosem.
Por, edhe dëshira ime e kahershme është që të vdes shehid.
Ndërsa kërkesa e birit tim dhe nxitimi i tij pas meje do të thotë se edhe ai do të kërkojë të bjerë shehid sikurse unë, me lejen e Zotit xh.sh., mirëpo, ai do ta arrijë këtë më vonë.

Në luftën e Jemames, sahabi i ndershëm, Tufejl ibnu Amr Ed- Devsij, tregoi trimëri të rrallë, derisa ra shehid në fushën e betejës. Ndërsa i biri i tij, Amri, vazhdoi të luftojë derisa e lodhën plagët dhe iu pre dora e djathtë. Pas mbarimit të betejës, u kthye në Medinë duke lënë në mejdanin e luftës babanë dhe dorën e vet.

Në kohën e sundimit të Omer ibnul Hattabit, Amr ibnu Tufejli shkoi një herë në vizitë tek ai dhe ndërkohë Omerit ia sollën ushqimin dhe të gjithë njerëzit që ndodheshin aty u ulën në sofrën e Omerit, përveç Amrit, i cili u largua. Kur Omeri vërejti mosprezencën e tij, pyeti:

– Çfarë ke, o Amr?! Ndoshta ti nuk deshe të ulesh për shkak se turpërohesh prej dorës sate.
Amri u përgjigj:
– Po. O halife (sundues) i besimtarëve…
Omeri, atëherë ia ktheu:
– Betohem në Allahun se nuk do ta kërkoj këtë ushqim derisa mos ta përziesh me dorën tënde të prerë. Betohem në
Allahun se nuk është asnjëri në mesin tonë që një pjesë e tij e ka në xhenet, përveç teje, – duke aluduar në dorën e tij.

Ëndrra e rënies shehid i dilte parasysh vazhdimisht, që nga koha kur ishte ndarë prej babait. Kur u zhvillua lufta e Jermukut, Amri nxitoi të marrë pjesë në të, bashkë me të tjerët, dhe në betejë e sipër, në kulmin që kishte arritur lufta, ai ra shehid, gjë që edhe e kishte paralajmëruar babai i tij disa vjet më parë.
Allahu xh.sh. e mëshiroftë Tufejl ibnu Amrin. Ai ishte shehid dhe baba i shehidit.

Përgaditi: Irfan Agushi

46 thoughts on “Cili sahabi kishte një pjesë të trupit në Xhennet, duke qenë ende gjallë!

Comments are closed.