Zvicër: Jeta fetare në kushte të pandemisë

Pjesëmarrës në konferencën virtuale ishin edhe Shaqir ef. Fetahu, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Naim ef. Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës

Shkruan: Irfan Agushi

Në mbrëmjen e së shtunës, Komuniteti Mysliman Shqiptar në Zvicër organizoi një Konferencë virtuale në të cilën morën pjesë mbi 37 persona. Kryesisht të ftuar ishin Imamët që veprojnë në Zvicër, ndërsa enkas në këtë Konferencë u inkuadruan edhe përfaqësuesit e dy subjekteve fetare islame nga vendlindja: Shaqir ef. Fetahu, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Naim ef. Tërnava, kryetar i Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës. Po ashtu në konferencë morën pjesë edhe përfaqësuesi i Unionit Islam në Gjermani, Mensur ef. Halili, ai nga Austria, Vahidin ef. Beluli dhe Reshat ef. Ibishi, kryetar i Unionit të Xhamive shqiptare në Itali.

Këta të fundit patën rastin të paraqiten me një fjalë përshëndetëse, me ç`rast informuan të pranishmit për mbarëvajtjen e jetës fetare në këto tri shtete, me theks të veçantë në periudhën e pandemisë.

Konferencën e parë të këtij lloji të diktuar nga kushtet e pandemisë, e hapi Mehas ef. Alia, kryetar i KMSHZ-së, dhe njëherësh organizator i kësaj Konference. Ai falënderoi pjesëmarrësit e në veçanti dy mysafirët panelistë: Naim ef. Tërnavën dhe Shaqir ef. Fetahun, të cilët u paraqiten me dy tema shumë të rëndësishme dhe njëkohësisht aktuale: „Institucionet fetare dhe sfidat e reja, si dhe konteksti juridik islam„ ishte tema mbi të cilën u fokusua Kryetari i BI-së së Kosovës, Naim ef. Tërnava, ndërsa në temën „Bashkëveprimi i Institicioneve fetare ne kohë pandemie, me shoqërinë dhe institucionet shtetërore„ foli Kryetari i BFI-së në Maqedoninë e Veriut, Shaqir ef. Fetahu.

Mehas ef. Alia, gjithashtu shtoi se: „Konferenca e sotme është rezultat i situatës së krijuar nga Pandemia dhe qëllimi i saj, pos tjerash është dhe mundësia e shkëmbimit të përvojave tona në lidhje me aktivitetet fetare, gjatë kësaj periudhe“.

Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava, në fjalën e tij u ndal në disa pika të veçanta, sa i përket situatës së Covid 19, për të vazhduar më pastaj te flasë mbi temën e përmendur.

Mes tjerash ai tha se “virusi solli një pandemi, e cila ka goditur gjithë njerëzimin, ku nuk bëjmë përjashtim edhe ne. Objektivi ynë ka qenë dhe vazhdon të mbetet njeriu. Me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve, kemi marrë vendime të vështira por të domosdoshme për të mirën tonë të përgjithshme. Nuk ka qenë shumë e lehtë mbyllja e xhamive, pezullimi i namazit edhe gjatë Muajit të bekuar të Ramazanit, mos falja e dy Bajramëve dhe mbyllja e objekteve arsimore islame në vend“ – theksoi Tërnava.

Ai më pastaj shtoi se vet institucioni dhe njerëzit që udhëheqin atë, u përballën me kritika të ashpra sa i përket vendimeve që ato kishin marrë, por shtoi ai „nuk u dorëzuam pasi këtë e bënim për të mirën e njerëzve tanë dhe në fund doli që ne kishim pasur të drejtë. Ne u angazhuam gjithashtu që përmes shoqatës Humanitare „Bereqeti“ t`u dalim në ndihmë edhe të varfëve në Kosovë dhe me këtë të zbusim sadopak varfërinë në familjet më të prekura, në kohën e pandemisë.“

Si prioritet të BI-së në Kosovë, Myftiu Tërnava përmendi investimet si në aspektin intelektual ashtu edhe në atë të ndërtimit të kushteve sa më solide të arsimit në Kosovë.

„Bashkësia Islame e Kosovës, në krye të prioriteteve të saj ka arsimin në Kosovë. Ne kemi një sërë institucionesh Arsimore në Kosovë duke filluar nga çerdhet, Medresetë dhe Fakulteti i Shkencave Islame në Prishtinë“ –  tha Muftiu Tërnava. Sipas Tërnavës, Shkolla e mesme fetare, Medreseja „Alaudin“, bën pjesë në mesin e 10 shkollave më të mira të mesme të Kosovës.

Për më tepër, Muftiu Tërnava foli gjerë e gjatë mbi temën „Institucionet fetare dhe sfidat e reja, si dhe konteksti juridiko islam“. Duke folur në pjesën mbi institucionet fetare dhe sfidat e reja, Tërnava nënvizoi nevojën e bashkëpunimit në mes vete. Në këtë pikë ai, theksoi se „Bashkësia Islame e Kosovës është bërë anëtare në një sërë organizatash të ndryshme Islame me rrëndësi të veçantë në Botën Islame“.

Toleranca ndërfetare konsiderohet si një nga vlerat më fisnike të popullit tonë

Tek pika mes bashkëpunimit të BI-së me komunitetet tjera në Kosovë, Tërnava theksoi se: „Bashkësia Islame e Kosovës, gjithnjë ka qenë e përkushtuar dhe e angazhuar të kontribuojë në kultivimin e kulturës së bashkëjetesës dhe tolerancës mes popujve dhe besimeve në vendin tonë. Këtë vlerë të madhe të kombit tonë, duhet kultivuar tek brezat e rinj, ngase kjo konsiderohet si një nga vlerat më fisnike të popullit tonë dhe besoj që kjo vlerë u ka ndihmuar dhe bashkëkombësve tanë në diasporë, në rrugën e integrimin të tyre në vendet ku jetojnë.“

Në fund të paraqitjes së tij, myftiu Tërnava u shpreh: „Gëzohem që po ju shoh unik si në Zvicër ashtu edhe në vendet tjera.

Panelisti i dytë, Shaqir ef. Fetahu, kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut, foli në temën: „Bashkëveprimi i Institucioneve fetare ne kohë pandemie, me shoqërinë dhe institucionet shtetërore.“ Shaqir ef. Fetahu, u shpreh qartë se BFI, ka bashkëpunuar ngushte me organet kompetente për të ndihmuar në zbutjen dhe tejkalimin e Situatës së krijuar nga Covid 19.. Ai tha se „fillimisht Bashkësia Islame ka organizuar një tribunë shkencore, në të cilën u vërtetua në praktikë me argumente fetare-islame dhe shkencore se vërtetë bëhet fjalë për një sëmundje të rrezikshme, e cila rrezikon gjininë njerëzore“.

„Nëse nuk dini si të veproni, atëherë pyetni kompetentët“

Kjo tribunë në njëfarë mënyre ishte përgjigjja e BFI-së, të gjithë skeptikëve që mendojnë se bëhet fjalë për një komplot apo një të pavërtetë kur është fjala për pandeminë.

„Pas asaj tribune u nxorën vendime se Bashkësi Fetare Islame bashkë me të gjitha institucionet e veta, duke filluar nga Rijaseti e më poshtë, do të jetë në shërbim të luftës kundër pandemisë në fjalë“ – u shpreh Shaqir ef. Fetahu.

Fetahu gjithashtu, foli mbi takimet e shumta që ka pasur me krerët e shtetit, duke filluar që nga ministri i shëndetësisë dhe institucionet tjera, të cilat ballafaqohen me sfidën që ka sjellë pandemia.

Në lidhje me vaksinimin e popullatës dhe dyshimet nëse Vaksina është e lejuar sipas parimeve islame ose jo, nëse janë ose nuk janë efikase, Fetahu lexoi një rregull Islam për këtë çështje, ku thuhet: „Nëse nuk dini si të veproni, atëherë pyetni kompetentët“. Ne nuk e dimë se çfarë përmbajnë ato vaksina dhe si ndikojnë tek njerëzit. Ne thjesht nuk jemi kompetent për këtë çështje. Prandaj ne do të ndjekim atë çfarë thonë dhe sugjerojnë njerëzit kompetentë“.

Në vazhdim, në debat u inkuadruan edhe pjesëmarrësit tjerë.

Rregullat e varrimit në kohën e pandemisë

Njëri nga panelistët pyeti rreth procedurës së trajtimit dhe varrimit të kufomave të cilët janë diagnostifikuar me Covid 19, nëse ato ndryshojnë nga praktika e asaj që shohim në Zvicër.

Naim ef. Tërnava tha se edhe tek çështja e varrimit dhe procedurave që duhet të ndjekim, ndryshon nga ajo që ne jemi mësuar të shohim më parë. Numri i pjesëmarrjes në varrim është shumë i vogël, numri i njerëzve që shkojnë në të pame gjithashtu është zvogëluar, kufoma pos tjerash duhet të përcillet edhe nga policia, për të parë nëse respektohen rregullat dhe gjithë këto e ndryshojnë mënyrën e zakontë të një varrimi.

Ndërsa Shaqir ef. Fetahu u ndal më shumë tek parimet islame konform të cilave lejohet varrimi edhe në këtë formë. Mes tjerash ai tha se „mënyra e varrosjes sipas rregullave të spitalit për persona që kanë vdekur me Covid 19, është konform rregullave Islame dhe këtë ua kemi sqaruar me kohë besimtarëve. Por brengosja e familjeve qëndron në faktin që nuk kanë mundur të bëjnë një varrim ashtu siç janë mësuar tradicionalisht. Megjithatë, edhe kjo sakrificë është pjesë e kontributit të popullatës sonë për dalje nga kjo krizë që na ka kapluar“ – tha në fund, Shaqir ef. Fetahu.

Si çështje tjetër u diskutua edhe ajo e faljes ose mosfaljes së Namazit të Xhumasë, në të cilin zakonisht numri i pjesëmarrësve është më i madh. Në Zvicër në një hapësirë të vetme, e cila mundëson distancën e paraparë sipas rregullave, lejohen të marrin pjesë përnjëherë 50 persona. Dhe si pasojë, në disa xhami Namazi i Xhumasë falet dy herë, ndërsa në Xhamitë më të mëdha, falja e Namazit të Xhumasë është anuluar krejtësisht.

Edhe në Kosovë, por edhe në Maqedoninë e Veriut, Namazi i Xhumasë falet në çdo xhami ku ka komoditet për tu falur dhe ku mund të respektohen rregullat që organet kompetente kanë i kanë bëtë obligative.

Në fund të debatit Dr.Bashkim ef. Aliu, në pika të shkurtra paraqiti konkluzat e Konferencës me ç`rast tha: Qëllimi kryesor i Konferencës ishte që të sigurojë një platformë për panelistët dhe hoxhallarët pjesëmarrës si dhe kreun e KMSHZ-së që të diskutojnë për çështjet e shtruara në temat e prezantuara nga panelistët dhe për çështje tjera aktuale të kontekstit përkatës.

Konferenca ofroi një rast të veçantë për shkëmbim pikëpamjesh midis panelistëve dhe pjesëmarrësve në lidhje me trende të reja në fushën e organizimit të jetës fetare në vendlindje dhe në diasporë.

Pjesëmarrësit prej palës së hoxhallarëve në Zvicër, patën mundësi të dëgjonin mendimet e zyrtarëve më të lartë të bashkësive fetare islame në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Konferenca ofroi mundësi komunikimi të drejtpërdrejtë të hoxhallarëve me krerët fetarë të institucioneve fetare islame të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut në kuadër të diskutimit për temat e konferencës dhe për çështje tjera të rëndësishme.

 

502 thoughts on “Zvicër: Jeta fetare në kushte të pandemisë

Comments are closed.