Idetë dhe planet konspirative përkitazi me ‘Covid19’

Përderisa virusi ishte në fillet e tij në qytetin kinez Wuhan, dhe duke u nisur nga vlerësimet e para që thonin se ky virus është bartur tek njerëzit përmes lakuriqëve; i gjithë fokusi u përqëndrua tek i ashtuquajturi ‘tregu i mishit të freskët’ që gjendej në këtë qytet, treg ky në të cilin ofroheshin kafshë nga më të ndryshmet, në mesin e të cilave edhe lakuriqë; me ç‘rast, rrjetet sociale vlonin nga fotografitë dhe videot neveritëse

Shkruan: Sali Shasivari

Sakaq, kur virusi filloi të përhapet me intenzitet më të madh në provincën kineze të kapluar nga ky virus, filluam të dëgjojmë zëra rreth një komploti Amerikan që ka për qëllim gjunjëzimin e Kinës, rivalit të saj ekonomik dhe tregtar.

Kur ky virus filloi të përhapet në Iran, filloi të dominojë bindja se, kjo është luftë e pashpallur Amerikane për mposhtjen e Iranit.

Me të përhapur të virusit në mënyrë rapide në Itali, u paraqitën dy teori tjera konspirative. E para thoshte se, kjo është hakmarrje që ushtrohet ndaj Italisë dhe qeverisë së saj, për shkak të përafrimit politiko-ekonomik me Kinën. Ndërsa, teoria e dytë konsistonte në goditjen e qendrës shpirtërore të Krishterimit (Vatikanit); kjo, pas goditjeve që u bënë më herët ndaj: qendrës shpirtërore të Budizmit (Kinës), qendrës shpirtërore të muslimanëve Shiitë (Iranit), si dhe qendrës shpirtërore të muslimanëve Sunnitë (mbylljes së Haremit në Mekke të Arabisë Saudite).

E, kur virusi filloi të kaplojë shumicën e shteteve evropiane, në rrjetet sociale filluam të shohim fotografi të lëvizjes së maqinerisë ushtarake, fotografi dhe lëvizje këto, të cilat, sipas konspiracionistëve, ishin sinjale të një lufte e cila pritet të fillojë së shpejti në mes fuqive perendimore (forcave të NATO-s) dhe Rusisë.

Mëpastaj, kur virusi filloi të përhapet në SHBA, e në ndërkohë, gjendja me virusin në Kinë filloi të stabilizohet, kjo – sipas konspiracionistëve – nënkuptonte dy mundësi: ose SHBA-të e krijuan dhe e mbollën këtë virus në Kinë (gjatë një turneu atletik ushtarak, që u mbajt në Nëntorin e kaluar, në Wuhan), mirëpo, i njejti ju u kthye bumerang; ose, kjo ishte kurthë kineze, me ç’rast, ato (kinezët) e krijuan këtë virus në një laborator të avancuar në Wuhan, dhe të njejtin ia eksportuan gjithë botës, e, me theks të veçantë SHBA-së, me qëllim të gjunjëzimit të saj; ndërsa ajo (Kina) shpëtoi me pasoja minimale.

Në ndërkohë, kur autoritetet medicinale italiane njoftuan se, për shkak të numrit të madh të të sëmurëve karshi numrit të vogël të aparateve të frymëmarjes artificiale, ata do të detyrohen që t’u japin përparësi moshave më të reja, të cilët kanë shanse më të mira për mbijetesë, kundrejt moshave të thyera, tek të cilët shanset për mbijetesë janë të vogla…; një sinjal i këtillë ishte i mjaftueshëm për disa konspiracionistë të konkludojnë se, ky virus – i krijuar në laboratore speciale – ka për qëllim heqjen qafe të një numri sa më të madh të pleqve në shoqëritë perendimore me përqindje të madhe të popullsisë së plakur, ngase kjo shtresë e popullatës paraqet ngarkesë të madhe financiare për këto shoqëri.

E, tashmë që virusi ka kapluar pjesën më të madhe të shteteve të globit, si dhe në momentin kur filluam të dëgjojmë kohë pas kohe për dhjetëra viktima nën moshën 60 vjeçare, përreth gjitha teorive konspiracioniste që u përmendën, si teori më e popullarizuar promovohet teoria, e cila, shkakun e këtij virusi e ndërlidh me valët radioaktive të gjeneratës së 5-të (5G) të telefonave celular.

Kjo, përskaj disa pëshpëritjeve tjera konspirative, të cilat parashtrojnë pikëpyetje në lidhje me përhapjen e kufizuar të këtij virusi në Rusi, si dhe në shtetet afrikane.

Këto janë disa nga idetë dhe planet konspirative kryesore të cilat po qarkullojnë këtyre ditëve; dhe të njejtat, vazhdojnë duke pësuar ‘mutacion, të ngjashëm me ‘mutacionin’ që pëson virusi ‘Covid19’.

Zoti e bëftë hajr!

347 thoughts on “Idetë dhe planet konspirative përkitazi me ‘Covid19’

Comments are closed.