A është e lejuar fetarisht të lutemi, që të shërohen edhe ata që nuk janë pjestarë të Fesë Islame?

Përgjigjen e Këshillit Evropian për Fetva dhe Gjurmime, lidhur me pyetjen nëse lejohet që të lutemi edhe për jomuslimanët me qëllim shërimin e tyre, na e sjell në gjuhën shqipe nga arabishtja dr. Bashkim ef. Aliu

Këshilli Evropian për Fetva dhe Gjurmime

FETVA-ja (10/30)

Lutja për shërim për pjestarët e besimeve tjera

PYETJA: A është e lejuar fetarisht të lutemi, që të shërohen edhe ata që nuk janë pjestarë të Fesë Islame?

PËRGJIGJJA: Disa muslimanë kanë një botëkuptim të gabuar sipas të cilit sjellja e mirë kufizohet vetëm në raport me muslimanët. Ky botëkuptim është në kundërshtim me të kuptuarit e drejtë të Islamit. Kjo, ngase moralet islame aplikohen me të gjithë njerëzit, pa dallim të përkatësisë së tyre fetare. I Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Sillu me njerëzit me moral të mirë”. Hadithin e ka transmetuar Tirmidhiju.

Interaksioni human me njerëzit, në përgjithësi, edhe nëse nuk janë pjestarë të fesë Islame, duke u lutur, duke qenë i mëshirshëm ndaj tyre, si dhe duke u ndihmuar në forma të ndryshme, është veprim legjitim fetarisht, bile ky veprim shpërblehet nga Allahu i Madhërishëm, me lejen e Allahut. Lutja është një formë e bamirësisë, për çka ne jemi të urdhëruar konform tekstit të Kur’anit dhe Sunetit-trashëgimisë fetare të të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të.

Kjo dhe dijetarët janë të pëlqimit në qëndrimin se lejohet të bëhet lutje, për pjestarët e besimeve tjera (jo muslimanët), që Allahu t’u jep shëndet dhe t’i shërojë nga sëmundjet. Është transmetuar prej Enes ibn Malikut, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: ”Asnjë nga ju nuk do të jetë besimtar (i kompletuar), derisa nuk ia don vëllaut të vet, atë që ia don vetes”. Hadithin e kanë transmetuar Buhariu dhe Muslimi. Në këtë hadith, aludohet në vëllazërinë e përgjithshme e cila e përfshinë edhe muslimanin edhe pjestarin e besimeve tjera. Për atë, muslimani, ashtu siç don për vete të jetë i shëndoshë dhe të shërohet në rast sëmundjeje, don që edhe vëllau i tij (per nga gjaku) jomusliman, të jetë i shëndoshë dhe të shërohet në rast sëmundjeje. Në librin “Deliu-l-falihin li turuki Rijadis-salihin”, thuhet: ”Ibn el-I’mad ka thënë: Më e rrugës është që vëllazëria këtu të interpretohet sipas nocionit të përgjithshëm të vëllazërisë, pa dallim feje, ashtu që muslimani ia don vëllaut të vet, i cili i takon një besimi tjetër, atë që ia don vetes”.

 

369 thoughts on “A është e lejuar fetarisht të lutemi, që të shërohen edhe ata që nuk janë pjestarë të Fesë Islame?

Comments are closed.